Dy Kategori Të Grave

Dy Kategori Të Grave is a social commentary written by Kaltrina Ademi


Në një seksion komente mbi dy tifozet që kishin dalë të veshura në mënyrë jo aq konservatore në Kampionatin Europian, nje grua shqiptare komentoi: “Njëra ka unazë në dorë por nuk besoj që është e fejuar… Si e lejon i fejuari të dalë kështu?”

Të gjitha mediat e botës fokusohen në bukurinë e grave shqiptare, ndërsa ne vetë, si shqiptare, e ulim njëra-tjetrën. Një grua tjetër e cila iu pergjigj komentit të parë më ktheu një pikë shprese: “E lë burri që jeton në shekullin 21” dhe unë po ashtu unë iu drejtova: “Aman, uroj të ketë shumë të tillë, dhe ajo e para të mundë t’i mbajë ata të shekullit të kaluar të gjithë për vete”. Ishim dy gra, kundër shume grave të tjera që komentonin me tone negative duke i mbështetur meshkujt dhe duke e profiluar veten në mënyrë “ indirekte”. Debate të tilla më vënë përpara syve se sa mbrapa janë ca “anëtare” të popullit, kur vajzat e tyre i rrisin me mendimin që nuk vlejnë edhe aq deri sa nuk ‘përzgjidhen’ nga një burrë. I mësojnë gjithë jetën që vlefshmëria e tyre varet nga faktorë të jashtëm.

Frika nga etiketimi na mban peng pothuajse gjithë jetën. Frikësohemi të flasim me zë të lartë, frikësohemi që keqkuptohemi – se ndoshta nuk “na merr” kush. Për këtë lloj të shqiptarëve, karakteri i gruas ka vetëm dy kategori: Per ata, ne nuk jemi personalitete komplekse në sy të shoqërisë tonë. Nuk jemi njerëz me mendime te ndryshme, karaktere në evoluim, personalitete që kanë vibrim konstant në lëvizje… por, jemi të thjeshta, jemi vetëm bardh e zi : të shtëpisë dhe të përdala. Për ata, të jesh femër në karrierë, me punë, që udhëton, që ulesh në tavolina me burra dhe debaton, diskuton, flet me zë të lartë si ata duke mos pasur frikë, të bën të përdalë.

Ne sytë e “analfabetëve kulturorë” – që vetë ata e mbajnë vendin tonë mbrapa- një grua nuk mund të jetë “e moralshme”, e pavarur, e suksesshme dhe familjare. Morali për ta ka definicionin e pafajësisë së rrejshme – të një vajze e cila është e varur nga dikush: një burrë. Ne fakt, indirekt, nënkupton që gruaja po doli vetëm nga pragu i shtëpisë është si qeni që mezi pret të përdoret fizikisht nga shumë burra. Mendja e tyre nuk ia kap që jeta nuk është vetëm seks! Që morali nuk është vetëm seks dhe ambicja e njerëzve në botë nuk shtyhet vetëm nga epshet kafshërore por nga dëshira shumë më të sofistikuara se ato animale. Analfabetët kulturorë nuk e kuptojnë këtë – është fenomen më kompleks dhe është shumë më lehtë t’i fusim të gjitha gratë në dy kategori se sa ti pranojmë ato si personalitete të veçanta, si karaktere komplekse, thjesht; si qenie njerëzore. Madje, ky mentalitet ka hyrë aq thellë në thelbin e qelizave të shoqërisë tonë, sa që vetë gratë i besojnë ato. Vetë gratë besojnë se vlera e tyre varet nga fakti se në cilën kategori hyjnë : të shtëpisë apo të përdala.

Shumë prej tyre i përdorin këto etiketime kur ndihen vetë xheloze ndaj një femre tjetër, kur ndihen inferiore ndaj saj. Si ta themi, kur e xhelozojmë një femër? Ta shpallim kurvë! E shpallim të përdalë, e shpallim të vështirë! Dhe kështu fillon… Gratë i japin të drejtë burrave t’i etiketojnë kur ato vetë etiketojnë gratë. Të verbuara nga xhelozia dhe me mendje të turbulluar për sa i takon vlerës tonë si qenie njerëzore. Mjafton t’i dëgjosh ca nëna shqiptare kur kërkojnë nuse për djelmoshat e tyre; kriteret e tyre, kritikat e tyre, dhe se si ato vetë i etiketojnë vajzat të cilat nuk iu duken “të mjaftueshme” për të birin. Gra që kanë ngrënë ‘grushtin’ e patriarkatit ia urojnë të njëjtën gjë edhe nuses së të birit. Ky është një rreth i cili nuk mbyllet dot nga ato.

Vendi ynë është i përçarë, nga një anë në Stambollin e shekullit të 18, dhe nga ana tjetër në atë të shekullit të 21, që po ‘vuan’ nga identifikimi me pjesën e parë. Gratë tona të ndara në dy kategori ; njëra kokën lart dhe krenare që e ka mbajtur kokën ulur gjithë jetën, dhe tjetra kokën ulur dhe e dëshpëruar që e ka mbajtur kokën lart në çastet kur i është dashur vetvetes…

Barazia gjinore nuk fillon te burri; por te vetë gruaja: gruaja që bëhet nënë, gruaja që bëhet bashkëshorte, gruaja që është motër, gruaja që është shoqe dhe në fund; gruaja që i do gratë e tjera.